Shurupi i Thanës, i quajtur ndryshe nga disa amvisa si Rehani është i shijshëm, i lehtë dhe i freskët.
Shurupi i Thanës (Rehanina) është simboli i mjeshtërisë së amvisave shqiptare në përgatitjen e ëmbëlsirave unike të kuzhinës sonë tradicionale, veçanërsht traditë e jugut të Shqipërisë
Është pikërisht sezoni i thanave dhe ju sugjeron më poshtë recetën e përgatitjes së simbolit të Rehanisë me Thana.
Rehania e thanës është me patjetër ëmbëlsia që nuk duhet të mungojë absolutisht në kuzhinën e familjeve shqiptare, jo vetëm për shijen e saj fantastike të ëmbël, të athët por mbi të gjitha për vlerat kuruese që ajo mbart.
Një gotë shurup nga rehania e thanës apo një dy lugë rehani thane kanë qenë përherë kura natyrale e përdorur nga nënat e gjyshet për lehtësimin e dhimbjeve të barkut të shkaktuara nga i ftohti.
Gjithashtu, rehania e thanës përdoret edhe për lehtësimin e komplikacioneve të tjera që sjell i ftohti siç janë dhimbjet e fytit por edhe të kokës.
Më poshtë mund të ndiqni recetën e sugjeruar nga AgroWeb.orgpër ta përgatitur rehaninë e thanës krejt lehtë në shtëpi.
Përgatitja e Rehanisë me Thana
(Sasia e përbërësve përzgjidhet sipas preferencës mjafton që të respektohet raporti si më poshtë. Raporti për 1 kg thana është 500 gr sheqer dhe 2 l ujë)
2 kg thana
1 kg sheqer
4 litra ujë
Përgatitja
Si fillim, AgroWeb.org ju udhëzon të pastroni mirë me ujë bollshëm dhe vendosini në një tenxhere të madhe.
Shtoni më pas sheqerin dhe më pas ujin.
Vendosini në zjarr dhe lërini të zjejnë derisa uji të mbetet më pak se gjysma e sasisë së ujit të hedhur në fillim. Pra, gati 1 litër e pak më shumë.
Në këtë moment, largojeni nga zjarri dhe lëreni të ftohet.
Kalojeni në një kulluese të gjithë lëngun e përftuar në formën e shurupit dhe largoni copëzat e thanave.
Shurupin ruajeni në shishe qelqi në frigorifer.
Kur ta konsumoni, mjafton të hidhni një lugë nga shurupi i thanës në një gotë me ujë të ftohtë dhe ta përzjeni pak.